Secondary Adv

Euro në rekordin më të ulët historik, këmbehet me 90.48 lekë

Euro ka shënuar një rekord të ri negativ në kursin e këmbimit me lekun, duke zbritur në 90.48 lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka humbur 6.4 për qind të vlerës në terma vjetorë, rënia më e fortë e regjistruar në tre vitet e fundit.


Kursi i këmbimit euro-lek ka zbritur në një minimum të ri historik, duke konfirmuar vijimin e forcimit të monedhës vendase kundrejt euros.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 90.48 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi i këmbimit euro-lek paraqitet në rënie vjetore me 6.4 për qind, rënia më e fortë e regjistruar në tre vitet e fundit.


Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu valutor edhe gjatë vjeshtës karakterizohet nga flukse të qëndrueshme hyrëse të valutës, ndërsa kërkesa në përgjithësi është e vakët, me momente të shkurtra rritjeje të përkohshme, zakonisht në fund të muajit kalendarik.

Një situatë e tillë vazhdon të ushtrojë presione të vazhdueshme rënëse mbi kursin e euros.


Turizmi dhe pasuritë e paluajtshme, burimet kryesore të valutës

Të dhënat statistikore nuk mundësojnë identifikimin e burimeve të prurjeve valutore në kohë reale ose mënyrën se si rritja e ofertës valutore lidhet me ecurinë e Bilancit të Pagesave.


Sidoqoftë, agjentët mendojnë se, ndër burimet formale dhe të identifikueshme të valutës, turizmi dhe investimet në pasuri të paluajtshme mbeten kryesoret, ndërsa në treg ekziston gjithmonë edhe perceptimi i një roli të konsiderueshëm të flukseve valutore informale.


Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të vitit 2026.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, duke arritur në 361 milionë euro, ose 40.6 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Deficiti i llogarisë korrente për gjashtëmujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.


Turizmi solli 957 milionë euro të ardhura neto në gjashtë muaj

Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv, në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.


Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin e shërbimeve erdhi nga turizmi, i cili në gjashtëmujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.


Investimet e huaja direkte u rritën me 50 për qind

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë të vitit 2026, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Për të gjithë gjashtëmujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Suficiti buxhetor arrin në 70.2 miliardë lekë

Gjithashtu, një efekt shtesë duket se po ushtron edhe suficiti i bollshëm fiskal, i cili po ul ofertën e lekut në treg.

Për nëntëmujorin e vitit 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 70.2 miliardë lekëve, në rritje me 54 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat